ËSHTË KOHA PËR TË NDALUAR PRODHIIMIN TREGTIMIN DHE PËRDORIMIN E FILTRAVE TË CIGAREVE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jun 9, 2023
- 4 min read

Nga. Z. Mary Assunta*. *Këshilltare e lartë e politikave, Aleanca e Kontrollit të Duhanit të Azisë Juglindore (SEATCA). Bangkok, Tajlandë | Sesioni i dytë i Komitetit Ndërqeveritar Negociator për ndotjen plastike (INC-2), i mbajtur në Paris, Francë, nga 29 maji deri më 02 qershor 2023, përfundoi me optimizëm dhe perspektivë të kënaqëshme, duke i dhënë fund ndotjes nga plastika. Mbi 700 delegatë nga 169 shtete anëtare ranë dakord të përgatisin një projekt-marrëveshje-zero përpara sesionit të tretë në nëntor të këtij viti. Ndër debatet më të rëndësishme, dhe më interesante, avokatët e shëndetit që ndoqën negociatat raportuan se ishte thelbësore të diskutohej “si të kategorizohen mijëra lloje të plastikës, pararendësve kimikë dhe produkteve në një mënyrë që lejon një qasje koherente për t'i dhënë fund ndotjes plastike. Disa favorizuan fokusimin në pararendësit kimikë, eliminimin e atyre më toksikëve dhe ndotësve, ndërsa të tjerë pranuan se jo çdo lloj plastike mund të riciklohej ose rikrijohej, dhe disa plastika si filtrat e cigareve duhet të zhduken përgjithmonë.” Z. Leonce Sessou, duke folur në emër të Veprimit mbi Duhanin dhe Shëndetin (ASH), Përgjegjshmërinë e Korporatës (CA), Aleancën Afrikane të Kontrollit të Duhanit (ATCA), dhe anëtarë të tjerë të Aleancës Stop Ndotjes së Duhanit (STPA), u bëri thirrje Shteteve Anëtare të përafrojnë në të ardhmen instrumentet ligjërisht detyruese për plastikën, me objektiv mbrojtjen e shëndetit publik për t'i dhënë fund epidemisë së duhanit, për të cilën, shumica janë angazhuar tashmë nëpërmjet Konventës Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (FCTC). Grupet e kontrollit të duhanit, për shembull, kërkuan eleminimin e filtrave të cigareve. Ata tërhoqën vëmendjen për faktin se bishtat e cigareve janë disa nga format më të përhapura të ndotjes plastike në planet, dhe dëmtojnë ekosistemet tokësore dhe detare. Ata u kujtuan delegatëve që të harmonizohen me traktatet e të drejtave të njeriut dhe shëndetit, veçanërisht OBSH FCTC, dhe ta bëjnë industrinë e duhanit të paguajë për ndotjen e saj dhe për mbetjet e trashëguara. Traktati shëndetësor i OBSH FCTC synon të reduktojë ofertën dhe kërkesën për duhan, dhe të mbrojë politikat shëndetësore, duke e mbajtur industrinë e duhanit jashtë takimeve të politikave. Sipas një raporti të OBSH-së, i cili kërkonte ndalimin e filtrave të cigareve, rreth 4.5 trilion filtra (bishta) të hedhura nga pothuajse gjashtë trilion cigare të konsumuara globalisht gjejnë rrugën e tyre në mjedis çdo vit. Ato janë mbetjet kryesore të grumbulluara nga vijat bregdetare dhe mjediset urbane. Filtrat e cigareve janë mjaft të vogla për t'u gëlltitur nga kafshët detare dhe kur këta filtra plastikë shpërbëhen, ato lëshojnë mijëra grimca mikroplastike. Mikroplastika janë zbuluar në prodhimet e detit komerciale, në artikuj të tjerë ushqimorë, në ujin e pijshëm dhe në indet njerëzore; ky kontaminim është një kërcënim për sigurinë shëndetësore dhe për sigurinë ushqimore. Hulumtimet tregojnë se bishtat e cigareve janë një burim i ndotjes mikroplastike që krijon ndotje kimike (për shkak të kimikateve toksike që gjenden në produktet e duhanit) që rrjedhin në mjedis. U zbulua se rrjedhjet e mbeturinave të cigareve dëmtojnë forma të ndryshme të organizmave ujorë, duke përfshirë burimet kryesore të ushqimit për peshqit dhe butakët. Ekspertët pajtohen se ndalimi i filtrave të cigareve është zgjidhja më e mirë për këtë problem të mbetjeve plastike dhe toksike. Pastrimi, legjislacioni kundër mbeturinave dhe ridizajnimi i filtrave për riciklueshmërinë ose biodegradueshmërinë nuk kanë funksionuar dhe nuk janë zgjidhje të zbatueshme. Komitetet qeveritare nga Belgjika, Hollanda, Kanadaja, dhe Danimarka kanë kërkuar kohët e fundit një ndalim të filtrave, dhe rekomanduan të njëjtën gjë për pjesën tjetër të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian. Për të paktën pesë dekada, industria e duhanit e ka ditur se filtrat e cigareve nuk ofrojnë asnjë përfitim shëndetësor; në vend të kësaj, ato i bëjnë cigaret të digjen më shumë, japin më shumë nikotinë dhe rrisin varësinë. Megjithatë, ata i kanë mashtruar duhanpirësit të mendojnë se filtrat i bëjnë cigaret “më të sigurta”. Ndërsa ndërgjegjësimi rreth pirjes së duhanit u rrit, industria e duhanit i bëri reklamat për cigaret e filtruara më tërheqëse, për të qetësuar shqetësimet e duhanpirësve. Mbrojtësit pjesëmarrës në INC-2 raportuan shumë keqkuptime në lidhje me filtrat e cigareve që ende nuk janë adresuar. Në blogun e saj në ditën e 5-të të negociatave, ASH deklaroi: “Shumë njerëz, jo vetëm ata që pinë duhan, supozojnë se filtrat i bëjnë cigaret më të sigurta sesa më të rrezikshme.” Shumë vende kanë tashmë një politikë kombëtare që ndalon plastika njëpërdorimshe, si qeset plastike, kashtrat dhe pambukun, por pa dashje nuk kanë përfshirë filtrat e cigareve. Megjithatë, avokatët duke folur me delegatët e qeverisë gjetën mbështetje të gjerë për ndalimin e filtrave të cigareve. Ndërsa mundësia e ndalimit të filtrit të cigareve merr vrull, makineria e marrëdhënieve me publikun (PR) e industrisë së duhanit është tashmë në lëvizje, duke zbatuar pastrimin e plazheve, dhe aktivitetet e mbledhjes së bishtave të cigareve përmes programeve të saj të përgjegjësisë sociale, të korporatës (CSR) në të gjithë planetin. Përpara se sesioni i tretë i Komitetit Ndërqeveritar Negociator për ndotjen plastike (INC-3) të rifillojë në Nairobi në nëntor 2023, qeveritë duhet të kujtojnë se industria e duhanit nuk është një palë e interesuar, por një ndotës që duhet të mbahet përgjegjës për dëmet e panumërta që ka shkaktuar, si dhe vazhdon të shkaktojë për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.
Mbi 100 organizata jo-qeveritare shëndetësore të “STPA”, së bashku me grupe të tjera mjedisore si Aleanca Globale për Alternativat e Inceneratorëve, Koalicioni i Mbeturinave Eco, Break Free From Plastic (BFFP), Ban Toxics (Filipine), Rrjeti i Detit të Azisë Lindore (OSEAN), Zhvillimi i Rrjetit të Oqeanit Indian, Earthday.org (Rrjeti i Ditës së Tokës), Organizata Rinore e Afrikës së Gjelbër, Aleanca Vietnam Zero Waste dhe Aleanca Boomerang kanë bërë thirrje për eleminimin e filtrave të cigareve. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments